Një 23-vjeçar i dyshuar për shpërndarje droge mendoi se kishte gjetur një mënyrë të zgjuar për të fshehur kokainën brenda një veze “Kinder Surprise”. Por ideja nuk i funksionoi, pasi ai u kap në flagrancë mbrëmjen e së shtunës në Liège, Belgjikë.
Sipas La Dernière Heure, i riu u ndalua rreth orës 21:30 gjatë një kontrolli rutinë teksa po drejtonte automjetin, pa qenë në gjendje të paraqiste dokumentet përkatëse. Gjatë kontrollit, policisë i tërhoqi vëmendjen veza “Kinder Surprise” që mbante me vete.
Pas hapjes së saj, u zbulua se brenda ishte fshehur kokainë. Hetimet vijuan me kontrollin e telefonit të tij, ku mesazhet e gjetura ngritën dyshime për përfshirje në shitje të lëndëve narkotike.
I dyshuari i mohoi akuzat, por autoritetet besojnë se ai ishte i përfshirë në trafik droge. Ai raportohet se qëndronte ilegalisht në Belgjikë dhe kishte mbërritur nga Shqipëria rreth një muaj më parë. Të dielën në mëngjes, ai u paraqit para gjykatës.