Familjarët e dy vogëlushëve që humbën jetën në aksidentin tragjik në Durrës kanë hapur dyert e mortit, ndërsa dhimbja në familje është e papërshkrueshme. Në një video të shpërndarë nga vendngjarja, shihet nëna e një prej viktimave që mbërrin në banesë e rrënuar shpirtërisht, e mbështetur nga familjarët, në një moment tepër të rëndë zie.
Bëhet fjalë për nënën e K. Nikollit, 9 vjeç, e cila së bashku me bashkëshortin ndodheshin në Itali, pasi babai i fëmijës po kurohej prej një sëmundjeje të rëndë. Pas marrjes së lajmit tragjik, të dy prindërit kanë mbërritur mbrëmjen e djeshme nga Italia në Shqipëri për t’u përballur me humbjen e të birit.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Durrës, ku Nikoll Radaçi, 57 vjeç, në gjendje të dehur përplasi katër fëmijë që po luanin në trotuar. Si pasojë, humbën jetën K. Nikolli, 9 vjeç dhe E. Muçaj, 12 vjeç, ndërsa 8-vjeçari A. Meslani mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Fëmija i katërt fatmirësisht shpëtoi pa lëndime.
*Publikimi i këtyre pamjeve bëhet me qëllim informimin e publikut mbi një ngjarje me rëndësi të madhe shoqërore dhe emocionale, si dhe për të pasqyruar realitetin e plotë të pasojave që ka sjellë tragjedia. Qëllimi nuk është shfrytëzimi i dhimbjes, por pasqyrimi i një realiteti që prek drejtpërdrejt shoqërinë dhe ngre shqetësime të forta mbi sigurinë dhe përgjegjësinë.