Pas aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë, është pezulluar nga detyra drejtori i Policisë së Qarkut Durrës, Afrim Tafa. Vendimi është marrë deri në përfundim të hetimeve dhe vjen vetëm një ditë pas ngjarjes së rëndë.
Në vend të tij është komanduar përkohësisht Ervin Hodaj, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Sipas informacioneve, Hita ka vendosur gjithashtu pezullimin edhe të disa drejtuesve të tjerë të policisë në Durrës, për shkak të performancës së dobët në ushtrimin e detyrës. Mes tyre janë zëvendësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Zija Sulaj, si dhe shefi i Policisë Rrugore, Kreshnik Skëndo.
Ngjarja e rëndë ndodhi kur një automjet i drejtuar nga Nikoll Radaçi përplasi tre fëmijë, duke shkaktuar vdekjen e dy prej tyre.