Sherr i dhunshëm me 2 të vrarë në burgun grek, shqiptari dhe gjeorgjiani autorë të dyshuar

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 04.05.2026, 09:52

Autoritetet në Greqi kanë vënë në pranga 11 persona pas një përleshjeje të dhunshme në Burgun e Nigritës, në zonën e Serresit, e cila përfundoi me dy viktima. Ngjarja ndodhi pasditen e së dielës dhe ndërhyrja e policisë u realizua brenda ambienteve të institucionit, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat.

Mediat greke bëjnë me dije se mes të arrestuarve janë një shtetas nga Gjeorgjia dhe një shqiptar, të dyshuar si autorët kryesorë të vrasjes së dyfishtë. Ndërkohë, nëntë persona të tjerë janë ndaluar për përfshirje në incident.

Sipas të dhënave hetimore, ngjarja u regjistrua rreth orës 16:00 në sektorin disiplinor të burgut. Katër të burgosur dolën nga qelia e tyre, hapën me forcë dy qeli të tjera dhe më pas u bashkuan për të sulmuar me dhunë të burgosurit në një tjetër ambient.

Gjatë përplasjes janë përdorur mjete të mprehta, të dyshuara si armë të improvizuara, duke shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Një nga viktimat humbi jetën në vend, ndërsa tjetri ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital.

Viktimat janë një 46-vjeçar me origjinë nga Algjeria dhe një 43-vjeçar nga Iraku. Autoritetet dyshojnë se në përleshje kanë qenë të përfshirë mbi dhjetë të burgosur dhe se motivi lidhet me konflikte të mëparshme mes tyre.

Paralelisht është urdhëruar edhe një hetim disiplinor për të zbuluar se si të burgosurit siguruan armë të improvizuara dhe arritën të hapnin qelitë pa u penguar nga stafi i sigurisë. Punonjësit e burgut ndërhynë për të ndarë palët dhe për të ofruar ndihmën e parë, por plagët e marra rezultuan fatale për dy prej tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit