Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Tiranë, duke shkaktuar dëme materiale në një biznes. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:30 në rrugën “Xhanfize Keko”, ku në një dyqan që ofron shërbime interneti, në pronësi të Endri Meksit, ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse.
Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Autoritetet dyshojnë se bëhet fjalë për një sasi eksplozivi të vendosur qëllimisht, ndërsa ende nuk ka detaje mbi motivet apo autorët e mundshëm.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Hetimet janë në vijim dhe pritet që në orët në vijim të ketë më shumë informacion lidhur me këtë incident.