Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së dielës në Tiranë.
Sipas informacioneve fillestare, ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si Porcelani, ku dyshohet se shpërthimi ka ndodhur në katin e dytë të një pallati. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale në apartament, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Zhurma e fuqishme ka alarmuar banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Forcat e rendit kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe për të përcaktuar llojin e saktë të lëndës plasëse të përdorur.
Paraprakisht dyshohet për përdorimin e tritolit, ndërsa grupi hetimor vijon punën për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e motiveve të mundshme të kësaj ngjarjeje.