Minjtë “pushtojnë” parkun e “7 Xhuxhave”, luajnë “kukafshehtas” mes lodrave

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 02.05.2026, 11:04

Në parkun e fëmijëve te “7 Xhuxhat” në Tiranë, një nga hapësirat më të frekuentuara të kryeqytetit, ku çdo ditë kalojnë qindra qytetarë, është shtuar ndjeshëm prania e minjve, të cilët lëvizin lirshëm mes lodrave dhe zonave të gjelbëruara.

Banorët e zonës tregojnë se brejtësit, në përmasa të ndryshme, shfaqen shpesh mes hapësirave ku luajnë fëmijët, duke krijuar një situatë shqetësuese. Sipas tyre, kjo hapësirë është ndër të paktat vende argëtimi për të vegjlit e lagjes, çka e bën edhe më problematike praninë e tyre.

Prindërit shprehen të alarmuar për rrezikun që minjtë paraqesin për shëndetin, duke theksuar se ata mund të kthehen në burim infeksionesh dhe sëmundjesh. Ndërkohë, banorët e përshkruajnë situatën si të papranueshme dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.

Ata bëjnë apel për ndërhyrje urgjente, dezinfektim dhe mirëmbajtje të vazhdueshme të parkut, në mënyrë që kjo hapësirë publike të rikthehet në një ambient të sigurt dhe të pastër për të gjithë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit