“Çdo minutë është jetike, ju lutem më ndihmoni të shpëtoj nënën time”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 01.05.2026, 01:26

Një apel i dhimbshëm ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga Denisa, një vajzë e re, e cila kërkon ndihmën e shqiptarëve për të shpëtuar jetën e nënës së saj, Fatbardha Selimaj, që ndodhet në gjendje shumë të rëndë në reanimacion në Tiranë.

Në videon e dërguar, ajo shfaqet e përlotur dhe mes emocioneve të forta, teksa tregon kalvarin e gjatë që familja ka përjetuar gjatë këtij muaji.

Sipas saj, nëna prej rreth një muaji po trajtohej për komplikacione nga diabeti, konkretisht në këmbë, gjendje e cila përfundoi me amputim më 17 prill. Pas ndërhyrjes, ajo u mbajt vetëm disa ditë në spital dhe më pas u dërgua në shtëpi, me pretendimin se gjendja ishte stabilizuar.

Por vetëm pak ditë më vonë, situata u përkeqësua ndjeshëm.

“Brenda dy ditëve mamaja pësoi bllokim të frymëmarrjes. Tani ndodhet në reanimacion dhe rrezikon intubimin. Doktorët dyshojnë për probleme kardiake që kanë sjellë komplikacione në mushkëri. Ju lutem më ndihmoni ta shpëtoj,” – shprehet ajo mes lotësh.

Familja kërkon me urgjencë mundësi për konsultë me mjekë specialistë dhe transferim në një spital më të specializuar, pasi kostot janë të papërballueshme për ta.

“Ju lutem, çdo ndihmë është jetike për ne. Nuk kërkojmë që paratë të kalojnë në llogarinë tonë, por direkt për trajtimin e saj. Dua vetëm që mami të shpëtojë,” – thotë Denisa.

Ajo tregon se prej një muaji ka qenë në lëvizje të vazhdueshme mes qyteteve, duke u përpjekur të bëjë gjithçka për nënën e saj, por sot ndodhet përballë një situate ku koha nuk pret më.

JOQ Albania u bën thirrje të gjithë qytetarëve, mjekëve dhe kujtdo që ka mundësi të japë ndihmë, këshillë apo ndërhyrje, të reagojnë sa më parë.

Për çdo mundësi ndihme apo kontakt, familja është e hapur të komunikojë në WhatsApp këtë numër telefoni: +49 174 3792768.

Një jetë varet nga solidariteti ynë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit