Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim për një situatë problematike pranë komisariatit në Vorë, ku sipas tij, automjetet e policisë parkohen në mënyrë të parregullt, duke krijuar pengesa në qarkullim.
Sipas denoncuesit, kjo situatë është kthyer në përditshmëri, pasi mjetet parkohen dysh përpara komisariatit, duke bllokuar kalimin e lirë të mjeteve të tjera, edhe në raste kur ka hapësira të lira parkimi.
Në një video të dërguar në redaksi, shihet momenti kur qytetari përballet verbalisht me punonjësit e policisë dhe u kërkon të lirojnë rrugën.
“Pse nuk e lëviz makinën ti? Ma thuaj një arsye pse nuk e lëviz. Lëvizni makinën të kaloj. Përpara ligjit jemi të gjithë njësoj,” dëgjohet të thotë ai.
Pas debatit, një nga punonjësit e policisë shihet teksa futet në automjet dhe e lëviz atë, duke hapur rrugën për qarkullim.
Qytetari pretendon se kjo praktikë ndodh çdo ditë dhe se, sipas tij, ankesat shpesh nuk merren parasysh. Ai shprehet se situata të tilla krijojnë trafik të panevojshëm dhe vështirësi për banorët e zonës.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me këtë denoncim.