Një tjetër procedurë prokurimi e dyshimtë po ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si menaxhohen paratë publike nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, i drejtuar nga Arlinda Pogaj.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt "Blerje motoçikletash për Policinë e Shtetit" (REF-73301-12-24-2025), ku fitues është shpallur kompania "MOTO TIRANA" në pronësi të Hysen Vadenjës.
Shifrat tregojnë një skenë që ngjan më shumë me një "ankand me fitues të paracaktuar" sesa me një garë të hapur dhe të ndershme.

Ajo që të bie menjëherë në sy është përputhja pothuajse kirurgjikale mes fondit limit dhe ofertës fituese.
Fondi Limit: 34,359,316.00 Lekë (pa TVSH)
Vlera Fituese: 34,289,987.00 Lekë (pa TVSH)
Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, vlera fituese mbulon 99.8% të fondit limit. Në një treg normal, konkurrenca synon të ulë çmimin për t'i kursyer para shtetit, por në këtë rast, "MOTO TIRANA" ka fituar duke ofruar pothuajse 100% të shumës maksimale, duke lënë një kursim qesharak prej vetëm 0.2% për buxhetin e Policisë.

Dokumentet e procedurës zbulojnë se në garë kanë marrë pjesë vetëm dy firma. Por, paradoksi thellohet kur shikon rezultatin: fituese është shpallur pikërisht kompania që ka dhënë ofertën më të lartë. Kjo praktikë, e parë shpesh në tenderat që konsiderohen "të qepur", zakonisht ndodh kur konkurrenti tjetër shërben thjesht si "numër" për të plotësuar kushtin ligjor të garës, për t'u skualifikuar më pas me argumente teknike, duke i hapur rrugën ofertës më të shtrenjtë.

Emri i Hysen Vadenjës nuk është i panjohur për median dhe denoncimet publike. I cilësuar shpesh si "supermeni" i tenderave të mjeteve motorike, Vadenja dhe kompanitë e tij kanë një historik të gjatë kontratash me Policinë e Shtetit dhe institucione të tjera. Raportime të mëparshme mediatike kanë ngritur dyshime për favorizim të hapur, ku shpesh kriteret e tenderave si fuqia motorike apo specifika të veçanta, përkojnë vetëm me modelet që kjo kompani disponon në magazinë.
Me një vlerë prej rreth 430 mijë eurosh me TVSH, ky tender shton dyshimet për një sistem ku fituesit përcaktohen para se të hapet kompjuteri i prokurimeve. Kur oferta fituese është pothuajse identike me fondin limit dhe kur shpallet fitues ai që kërkon më shumë para, transparenca mbetet thjesht një fjalë në letër, ndërsa paratë e taksapaguesve shkojnë në xhepat e "klientëve" të përhershëm të institucioneve.