Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga ambientet ku ndodhet në masë sigurie, pas komenteve të shumta në rrjet për gjendjen e tij fizike dhe pamjen e jashtme pas daljes së parë publike. Ai ka deklaruar se gjendja e tij fizike, shëndetësore dhe mendore është “më e mirë se kurrë”, duke theksuar se ndihet në formë të plotë pavarësisht kufizimeve që i janë vendosur.
Në reagimin e tij, Meta ka folur për jetën e përditshme brenda institucionit, duke thënë se kryen rreth katër orë aktivitet fizik në ditë dhe se është shumë aktiv në ping-pong, të cilin e ka quajtur sportin e tij më të fortë. Ai ka shtuar se ka qenë “kampion absolut” dhe se edhe kundërshtarët e tij janë më të rinj në moshë, por sipas tij nuk e kanë mposhtur dot në këtë aktivitet. Meta ka theksuar gjithashtu se ndryshimet në peshë nuk lidhen me mungesë ushqimi apo probleme shëndetësore.
Ai ka komentuar edhe vërejtjet për pamjen e jashtme, duke përfshirë flokët dhe lëkurën, duke i lidhur me kushtet e jetesës dhe mungesën e shërbimeve të zakonshme, si dhe cilësinë e ujit. Në fund të reagimit, Meta ka ironizuar disa komente publike dhe analiza mediatike, duke i cilësuar si përpjekje për të devijuar vëmendjen nga çështje të tjera politike dhe hetimore.