Një situatë problematike është denoncuar nga qytetarët në segmentin rrugor Shkodër–Lezhë, ku një sasi e konsiderueshme inertesh të rëna nga një kamion kanë bllokuar njërën korsi të qarkullimit.
Sipas denoncimit, materialet kanë përfunduar në rrugë gjatë lëvizjes së mjetit, duke krijuar vështirësi serioze për drejtuesit e automjeteve dhe duke rrezikuar sigurinë rrugore. Megjithatë, ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën është mungesa totale e reagimit për pastrimin e rrugës, qoftë nga drejtuesi i kamionit apo nga autoritetet përgjegjëse.
Automjetet detyrohen të devijojnë në korsinë tjetër, duke rritur rrezikun për përplasje, sidomos në një aks të frekuentuar si ai që lidh Shkodrën me Lezhën. Drejtuesit shprehen se një ndërhyrje e menjëhershme është e domosdoshme për të shmangur aksidente të mundshme.
Ky rast ngre pikëpyetje mbi përgjegjshmërinë e transportuesve të materialeve inerte, si dhe mbi kontrollin dhe reagimin e institucioneve përkatëse në situata të tilla. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente për pastrimin e rrugës dhe marrjen e masave ndaj përgjegjësve, në mënyrë që episode të tilla të mos përsëriten.
Denoncimi i qytetarit:
Ne segmentin shkoder lezhe inerte te rena nga nje kamion bllokojme njeren korsi asnje mas per pastrimin e rruges nga shoferi apo kushdo tjeter!