Klevis Qose, ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, është emëruar në krye të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), duke marrë vendin e Eduart Merkajt. Vendimi është firmosur nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Emërimi i Qoses vjen vetëm pak javë pasi ai u largua nga drejtimi i sistemit penitenciar, detyrë që e mbajti për rreth dy vite dhe që u shoqërua me një sërë problematikash dhe skandalesh që prekën burgjet në vend. Pikërisht ky kontekst e bën lëvizjen edhe më të diskutueshme, pasi ai kalon në një tjetër institucion kyç të sigurisë. Denoncime të shumëta nga punonjësit e burgjeve të mbërritura në redaksinë tonë tregonin një pasqyrë tejet skandaloze të drejtorit.
Tashmë, Qose do të drejtojë AMP-në, një nga agjencitë më të rëndësishme në varësi të Ministrisë së Brendshme, e cila ka në fokus mbikëqyrjen dhe hetimin e punonjësve të Policisë së Shtetit. Një transferim që ngre jo pak pikëpyetje mbi standardet e përgjegjshmërisë dhe mënyrën si menaxhohen postet drejtuese në institucionet e sigurisë.