Zbardhet skema e 3 banesave luksoze, si u fsheh shtëpia 370 mijë euro e Lindës te “Air Albania”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 21.04.2026, 20:48

Sipas mediave, detaje të reja nga dosja e SPAK-ut hedhin dritë mbi pasurinë marramendëse të ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila dyshohet se ka përdorur skema fiktive për të fshehur pronësinë e të paktën 3 banesave luksoze në Tiranë. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë zbardhur se pasuritë ishin regjistruar në emër të personave të tjerë, ndërkohë që Karçanaj rezulton të jetë poseduesja reale e tyre.

Dëshmia kyçe e shoferit dhe apartamenti 203 m²

Një pjesë e rëndësishme e dosjes mbështetet në dëshminë e Florjan Bylykut, shoferit të ish-drejtoreshës, i cili ka treguar për hetuesit se si e zbuloi se shtëpia e re e shefes së tij nuk ishte një banesë e thjeshtë me qira. Bëhet fjalë për një apartament me sipërfaqe 203.3 m² në rrugën "Dervish Hima", pranë stadiumit "Air Albania", i blerë për shumën prej 370 mijë eurosh.

Sipas hetimeve, kjo pasuri i ishte shitur fillimisht kompanisë "Fortis Beton Co" nga shtetasi Genci Osmënaj. Ndonëse Karçanaj nënshkroi një kontratë qiraje me këtë kompani në shkurt të vitit 2025, shoferi ka dëshmuar se ajo ishte zhvendosur aty që në fund të dhjetorit 2024.

"Nga viti 2019 ajo ka banuar në një shtëpi përballë Bankës së Shqipërisë në Rrugën e Kavajës. Do ketë qenë fillimi i janarit 2025 kur kam filluar ta marr me makinë te shtëpia e re te Air Albania. Mirlinda Karçanaj në fund të dhjetorit 2024 më tha që t’i çoja rrobat atje dhe i kam dërguar unë," thuhet në dëshminë e Bylykut.

Për SPAK, kjo vërteton se kontrata e qirasë ishte fiktive dhe e kryer në mashtrim të ligjit për të fshehur faktin se apartamenti ishte blerë me qëllimin e vetëm për t’u përdorur nga e hetuara.

Skema me "Rrugën e Kavajës" dhe lëvizjet me familjarët

Një tjetër pasuri e dyshimtë është apartamenti në Rrugën e Kavajës, ku është zbuluar një zinxhir i ndërlikuar transaksionesh. Fillimisht, kjo pasuri u ble nga shtetasi Rafael Bistri për 78,380 euro nga Bledar Likaj. Për këtë blerje, ai kishte marrë dy hua me vlerë totale 80 mijë euro nga shoqëritë "Forensic Lac" dhe "Fasttech" në pronësi të Andis Papës (person nën hetim).

Në vitin 2018, Bistri ia shiti këtë pasuri motrës së Daniel Shimës, ish-zv.drejtorit të AKSHI-t, i cili u bë protagonist i një zhdukjeje misterioze për 10 orë në vjeshtën e vitit 2025. Vetëm një vit më vonë, në 2019, motra e Shimës ia shet këtë pasuri nënës së Mirlinda Karçanajt, Gjinovefa Karçanajt, për vetëm 50 mijë euro — rreth 3 milionë lekë më lirë se çmimi fillestar i blerjes.

Konkluzionet e SPAK: Para cash nga aktiviteti kriminal

Gjatë marrjes në pyetje, Rafael Bistri pretendoi se nuk mbante mend asgjë rreth nënshkrimit të kontratës. Megjithatë, SPAK ka arritur në konkluzionin se vlera reale e transaksionit ka qenë rreth 60 mijë euro, ndërkohë që vlera prej 80 mijë eurosh dyshohet se është paguar cash nga vetë Mirlinda Karçanaj me të ardhura që rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Prokuroria e Posaçme konkludon se këto pasuri janë produkt i veprës penale të korrupsionit, si rezultat i veprimeve të saj në cilësinë e drejtueses së AKSHI-t. Ky hetim ka zbuluar se prapa kontratave noteriale fshihet një rrjet personash të besuar që kanë shërbyer si mbulesë për pasuritë e paluajtshme të ish-zyrtares së lartë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit