Një incident shqetësues është denoncuar në redaksinë e JOQ Albania nga dy turiste të huaja, nënë e bijë, të cilat pretendojnë se pasditen e djeshme janë përballur me një situatë të papranueshme në zonën e plazhit pranë Hotel Adriatikut në Durrës.
Sipas dëshmive të tyre, një burrë ishte ulur në një varkë me pedale në breg të detit dhe po i vëzhgonte vazhdimisht, duke ngritur dyshime për sjellje të çuditshme. Nëna tregon se pasi e ka parë më me vëmendje, ka konstatuar se ai po kryente veprime intime në publik, duke u vetëkënaqur dhe duke ekspozuar organet gjenitale para tyre.
Turistja rrëfen se situata ka agravuar brenda pak sekondash: ajo është ngritur dhe i është afruar, ndërsa burri ka vijuar veprimet e tij. Në reagim, ajo ka bërtitur dhe në një moment e ka shtyrë, ndërsa e ka përzënë nga zona duke i thënë “largohu nga këtu”, siç shihet edhe në videon e mbërritur në redaksi.
Sipas komunikimit që JOQ Albania ka pasur me një punonjës të strukturave turistike që ka ndërmjetësuar kontaktin me pushuesit, personi në fjalë dyshohet të jetë shtetas shqiptar dhe sipas turisteve mund të jetë parë edhe herë të tjera në zonë.
Po ashtu, bëhet me dije se turistet, të tronditura nga ajo që kanë përjetuar dhe duke u ndjerë të pasigurt, kanë vendosur të largohen menjëherë nga akomodimi ku po qëndronin.
Ky është një rast i rëndë që jo vetëm cenon sigurinë dhe dinjitetin e pushuesve, por dëmton drejtpërdrejt edhe imazhin e vendit teksa ndodhemi në prag të nisjes së sezonit turistik.
JOQ Albania u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të reagojnë me urgjencë, të identifikojnë personin në fjalë dhe të marrin masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.
Sjellje të tilla nuk duhet të tolerohen në asnjë rrethanë.