Zhvillime të reja dhe shqetësuese kanë dalë në pah pas denoncimit të publikuar nga JOQ Albania një ditë më parë, ku një qytetar nga Shkodra ngrinte pretendime për keqtrajtim të punonjësve në rrjetin e supermarketeve “Xhedis”.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, një gazetar lokal, Ervin Dushi, shprehet publikisht se ndaj denoncuesit po ushtrohet presion psikologjik, jo vetëm nga persona të lidhur me familjen Gjoni, por edhe, sipas tij, nga forcat e policisë.
Gazetari thekson se nuk mund të vërtetojë akuzat ndaj kompanisë, por bën thirrje të qartë që të ndalet çdo formë presioni ndaj qytetarit që ka denoncuar. Ai shpreh shqetësimin edhe për praninë e përsëritur të mjeteve të policisë pranë banesës së denoncuesit, në një zonë jo të aksesueshme lehtësisht, duke e cilësuar këtë situatë si të pazakontë dhe që kërkon sqarim.
Sipas tij, automjete policie dhe mikrobusë janë parë disa herë gjatë ditës pranë banesës së qytetarit, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyen e kësaj pranie.
Ndërkohë, JOQ Albania ka kontaktuar drejtpërdrejt me denoncuesin, i cili konfirmon se presionet kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme. Ai pretendon se në lagjen e tij janë shfaqur disa herë mjete policie, ndërsa shton se persona që i lidh me familjen Gjoni kanë qenë pranë banesës së tij, çka ai e konsideron si formë presioni psikologjik.
Denoncuesi pohon gjithashtu se është kontaktuar në mënyrë private në rrjete sociale nga persona të ndryshëm, të cilët – sipas tij, i kanë bërë presion për të tërhequr denoncimin. JOQ Albania disponon këto komunikime dhe është e gatshme t’ia vërë në dispozicion organeve ligjzbatuese për verifikim të mëtejshëm.
Kujtojmë se një ditë më parë, qytetari në fjalë publikoi një video ku ngrinte pretendime për presion dhe dhunë verbale ndaj punonjësve në supermarketet “Xhedis”, përfshirë edhe kërcënime për largim nga puna dhe penalizime financiare. Për këto akuza nuk janë paraqitur prova të pavarura dhe ato mbeten në nivel pretendimi.
Pas publikimit, kompania “Xhedis” reagoi duke i mohuar kategorikisht akuzat, ndërsa theksoi se do t’i drejtohet organeve ligjore për të mbrojtur reputacionin e saj dhe se është e hapur për çdo verifikim institucional.
Në këtë situatë të tensionuar, ajo që e bën edhe më alarmante çështjen është pretendimi për presion ndaj një qytetari që ka zgjedhur të flasë publikisht.
JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe institucioneve përkatëse që të sqarojnë menjëherë këtë situatë, të verifikojnë të gjitha pretendimet dhe të garantojnë se asnjë qytetar nuk do të përballet me presion apo intimidim për shkak të një denoncimi publik.
Sepse në një shtet ligjor, denoncimi nuk mund të kthehet në rrezik për qytetarin.