Tërmet 7.5 ballë në Japoni, paralajmërim për cunami deri në 3 metra

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.04.2026, 10:38

Një tërmet me magnitudë 7.5 ka goditur veriun e Japonisë ditën e sotme, njoftoi Agjencia Meteorologjike e vendit, duke lëshuar paralajmërim për cunami me valë që mund të arrijnë deri në tre metra lartësi.

Lëkundja sizmike ndodhi në orën 16:53 me orën lokale (07:53 GMT) në ujërat e Paqësorit pranë prefekturës veriore Iwate dhe ishte aq e fuqishme sa u ndje edhe në ndërtesa të mëdha në Tokio, qindra kilometra larg.

Sipas autoriteteve, valët e para të cunamit mund të godasin menjëherë vijën bregdetare në veri të vendit. Agjencia u bëri thirrje banorëve të largohen menjëherë nga zonat bregdetare dhe brigjet e lumenjve, duke u zhvendosur në vende më të sigurta si terrene të larta apo godina të posaçme evakuimi.

“Valët e cunamit pritet të godasin në mënyrë të përsëritur. Mos u largoni nga zonat e sigurta derisa paralajmërimi të hiqet,” theksohet në njoftim.

Japonia është ndër vendet më aktive sizmikisht në botë, pasi ndodhet mbi katër pllaka të mëdha tektonike në skajin perëndimor të “Unazës së Zjarrit” në Paqësor. Vendi me rreth 125 milionë banorë regjistron mesatarisht rreth 1,500 tërmete në vit, duke përbërë rreth 18% të tërmeteve globale. Shumica e tyre janë të lehta, por dëmet varen nga vendndodhja dhe thellësia e goditjes.

Në vitin 2011, një tërmet me magnitudë 9.0 shkaktoi një cunami shkatërrues që la rreth 18,500 viktima dhe persona të zhdukur, si dhe solli një krizë të rëndë në centralin bërthamor të Fukushimës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit