Shqiptarët po përfitojnë aktualisht nga patate cilësore me çmime dukshëm më të ulëta, një situatë që nuk është parë prej vitesh. Në tregjet e pakicës në Tiranë, një kilogram patate shitet rreth 60 lekë, ndërsa në të njëjtën periudhë një vit më parë çmimi kalonte mbi 100 lekë.
Sipas të dhënave të INSTAT, në shkurt 2026 çmimi mesatar i patateve ishte 77.9 lekë për kilogram, rreth 22% më i ulët krahasuar me një vit më parë. Ulja e çmimeve lidhet kryesisht me rritjen e importeve nga Gjermania në kategorinë e zarzavateve dhe rrënjëve ushqimore, të cilat po ndikojnë ndjeshëm në tregun vendas dhe po vendosin presion mbi prodhuesit shqiptarë.
Burime nga tregu theksojnë se rritja e importeve është nxitur kryesisht nga patatet. Gjatë dy muajve të parë të vitit 2026, importet u rritën me 65.5%, duke tejkaluar 5 milionë kilogramë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Çmimi i ulët i importit, rreth 49.91 lekë për kilogram, ka ushtruar presion të fortë për uljen e çmimeve në tregun vendas.
Kjo situatë ka sjellë lehtësim për buxhetet familjare, por njëkohësisht ka vështirësuar konkurrencën për prodhuesit vendas. Ndërkohë që vlera totale e importeve është rritur, çmimi për njësi i patateve gjermane ka ardhur në rënie të vazhdueshme, nga 67.79 lekë në vitin 2024 në më pak se 50 lekë në vitin 2026, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë konkurrencën për prodhimin vendas.
Sipas FAOSTAT, konsumi mesatar vjetor i patateve në Shqipëri është rreth 52 kilogramë për frymë, më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian që kalon 80 kilogramë, por gjithsesi mbetet një produkt bazë në tryezat shqiptare.
Raportimet nga mediat gjermane tregojnë se këtë sezon vendi ka pasur mbiprodhim. Prodhimi i patateve në vitin 2025 arriti në rreth 13.9 milionë tonë, një rritje prej 9% krahasuar me vitin 2024 dhe një nga nivelet më të larta në 25 vitet e fundit. Rendimenti i lartë, rreth 46 tonë për hektar, u favorizua nga kushtet klimatike shumë të mira.
Teprica e prodhimit ka sjellë rënie të fortë të çmimeve në Gjermani dhe në vende të tjera si Belgjika dhe Holanda. Në fillim të vitit 2026, fermerët gjermanë kishin rreth 1 milion tonë patate të pashitura në magazina. Në disa raste, kostoja e ruajtjes tejkalonte vlerën e tregut, duke i detyruar ata t’i shpërndanin falas, t’i përdornin për ushqim kafshësh apo energji, ose t’i eksportonin me çmime shumë të ulëta.
Me afrimin e sezonit të ri të mbjelljeve dhe nevojën për të liruar depot, eksportet drejt vendeve të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, janë rritur ndjeshëm. Kjo ka intensifikuar konkurrencën për prodhuesit vendas, të cilët përballen me kosto më të larta dhe mbështetje më të kufizuar financiare.