“Po na terrorizojnë fëmijët çdo mesnatë…”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 20.04.2026, 01:01

Një tjetër denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga banorë të Tiranës, të cilët ankohen për një fenomen që po u prish përnatë qetësinë: hedhjen e fishekzjarreve gjatë mesnatës.

Sipas qytetarit që ka dërguar edhe pamje nga vendi i ngjarjes, situata ndodh çdo natë rreth orës 00:00, pranë një lokali afër qendrës “Linkoln”, në rrugën “Qemal Stafa”.

“Ju lutem bëjeni publike që të ndërgjegjësohen institucionet përkatëse dhe të marrin masa. Çdo natë në orën 12 një lokal afër ‘Qendrës Linkoln’ na hedh fishekzjarre. Na është kthyer në makth, na terrorizoi fëmijët”, – shprehet qytetari.

Nga pamjet e dërguara, duket qartë se fishekzjarret hidhen në mes të natës, duke krijuar zhurmë të fortë dhe shqetësim për banorët përreth.

Ky nuk është një rast i izoluar. Redaksia e JOQ Albania ka marrë qindra, në mos mijëra denoncime të ngjashme nga zona të ndryshme të kryeqytetit, ku fishekzjarret janë kthyer në një fenomen të përnatshëm, duke u shndërruar në një “terror akustik” për qytetarët.

Banorët ankohen se, pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme, mungon reagimi i institucioneve, ndërsa situata vijon të përsëritet pa asnjë pengesë.

Ky fenomen prek jo vetëm cilësinë e jetës, por sidomos fëmijët dhe të moshuarit, të cilët përjetojnë frikë dhe shqetësim nga shpërthimet e papritura gjatë natës.

Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet përkatëse për të ndaluar këtë praktikë, duke theksuar se festimet nuk duhet të kthehen në burim shqetësimi për komunitetin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit