Pas denoncimit të publikuar në redaksinë tonë, ku ngriheshin pretendime për trajtimin e punonjësve në rrjetin e supermarketeve “Xhedis” në Shkodër, ka mbërritur një reagim zyrtar nga ky subjekt.
Përfaqësuesi i kompanisë, Prel Gjoni, i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si pretendime që nuk përkojnë me realitetin e aktivitetit të tyre.
Në deklaratën e saj, kompania thekson se do t’u drejtohet organeve ligjore për të mbrojtur reputacionin dhe integritetin e biznesit.
Njëkohësisht, drejtuesit e “Xhedis” shprehen se janë të hapur për çdo verifikim nga institucionet kompetente lidhur me kushtet e punës dhe marrëdhëniet me stafin.
Në përfundim të reagimit, subjekti kërkon që të pritet fjala e autoriteteve përpara se të nxirren përfundime mbi këtë rast.
JOQ Albania, në respekt të parimit të transparencës dhe të drejtës së reagimit, pasqyron qëndrimin e palës së përmendur, ndërsa u bën thirrje institucioneve përkatëse që të verifikojnë këtë çështje, për të sqaruar plotësisht situatën dhe për të zbardhur të vërtetën e këtyre akuzave.