Mori pije nga i panjohuri dhe përfundoi e paralizuar, 18-vjeçares i kthehet në makth festa e ditëlindjes

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 17.04.2026, 20:56

Ajo që duhej të ishte nata më e bukur e jetës, dita kur Millie Taplin festonte 18-vjetorin dhe arritjen e moshës madhore, është shndërruar në një makth të vërtetë që ka tronditur Britaninë e Madhe. E reja, e cila kishte dalë për herë të parë në një klub nate për të festuar ditëlindjen, ka përfunduar në spital në gjendje shokuese pasi një i panjohur dyshohet se i hodhi lëndë toksike në pije.

"Provoje këtë vodka me limon"

Gjithçka nisi kur një person i panjohur iu afrua Millie-t dhe i ofroi një gotë. Pas vetëm një gllënjke, pasojat ishin të menjëhershme dhe tmerruese. Brenda pak sekondash, 18-vjeçarja nisi të ndiente mpirje në fytyrë, ndërsa gishtat e duarve iu mblodhën në formë kthetra dhe trupi i mbeti plotësisht i ngrirë, si të ishte e poseduar.

Makthi i të qenit "e burgosur" brenda trupit

Dëshmia e saj është rrëqethëse: Edhe pse trupi ishte i paralizuar, Millie ishte plotësisht e vetëdijshme për gjithçka që ndodhte rreth saj. Ajo ka treguar se "ulërinte brenda kokës së saj" nga paniku, por nuk mund të lëvizte asnjë muskul dhe as të kërkonte ndihmë.

Mjekët në dilemë, nëna bën apel

E dërguar me urgjencë në spital, mjekët dyshuan se asaj i ishte dhënë një "koktej" i rrezikshëm substancash: një për ta paralizuar dhe një tjetër që synonte ta linte pa ndjenja. Pavarësisht gjendjes së rëndë, analizat laboratorike nuk arritën të identifikonin llojin e saktë të drogës së përdorur, çka tregon për rrezikshmërinë e lartë të këtyre substancave të reja që qarkullojnë në jetën e natës.

Nëna e vajzës ka publikuar pamjet e rënda nga shtrati i spitalit si një paralajmërim urgjent për të gjithë të rinjtë. Mesazhi është i qartë: Kurrë mos pranoni pije nga të huajt, pavarësisht sa miqësorë mund të duken.

Rasti ka rindezur debatin mbi sigurinë në klubet e natës dhe fenomenin e frikshëm të "spiking" (hedhjes së drogës në pije), i cili po kthehet në një kërcënim serioz për jetën e të rinjve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit