Është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare piktori i njohur shqiptar, Skënder Kamberi, një nga emrat më të spikatur të artit pamor në vend.
Kamberi njihej si një prej figurave më të rëndësishme të pikturës shqiptare, me një krijimtari të gjerë ku spikat dashuria për artin, njeriun dhe veçanërisht qytetin e tij të lindjes, Vlorën.
Gjatë jetës së tij artistike, ai la pas një trashëgimi të pasur me mbi 1,400 vepra, që përfshijnë kompozime monumentale, portrete dhe peizazhe të realizuara me forcë të veçantë artistike dhe ndjeshmëri të lartë.
I lindur në Vlorë më 2 shkurt 1939, Skënder Kamberi përfundoi Liceun Artistik në vitin 1960 dhe më pas vazhdoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, ku u diplomua në vitin 1965.
Gjatë karrierës së tij, ai arriti të ruajë identitetin dhe integritetin e tij krijues, duke kaluar nga realizmi socialist drejt formave më të lira të shprehjes artistike pas viteve ’90.
Disa prej veprave të tij ruhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, ndërsa të tjera janë ekspozuar në vende të ndryshme të botës, duke e bërë Kamberin një emër të njohur edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.