Shkon në 10 numri i viktimave nga sulmi me armë në shkollën e mesme në Turqi

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 16.04.2026, 21:23

Bilanci i sulmit të armatosur në një shkollë të mesme në provincën Kahramanmaraş në Turqi është rënduar, duke arritur në 10 viktima, pasi një nga nxënësit e plagosur ka humbur jetën në spital, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë.

Sipas Ministrit të Brendshëm turk, Mustafa Çiftçi, nga sulmi janë plagosur edhe 13 persona të tjerë, prej të cilëve 6 ndodhen në kujdes intensiv, ndërsa gjendja e 3 prej tyre paraqitet kritike.

Ngjarja e rëndë ndodhi në shkollën e mesme “Ayser Çalık”, ku një nxënës 14-vjeçar hapi zjarr brenda dy klasave, duke shkaktuar panik dhe një bilanc tragjik me jetë të humbura. Mes viktimave raportohet edhe një mësuese matematike, Ayla Kara, e cila dyshohet se ka humbur jetën teksa përpiqej të mbronte nxënësit e saj.

Autori, i identifikuar si 14-vjeçari Isa Aras Mersinli, ka humbur gjithashtu jetën gjatë incidentit. Autoritetet bëjnë me dije se ai dyshohet se është vetëvrarë gjatë kaosit, megjithëse rrethanat e sakta mbeten ende të paqarta dhe po hetohen.

Sipas guvernatorit të Kahramanmaraş, Mukerem Unluer, i mituri ka hyrë në shkollë i armatosur me disa armë zjarri dhe municion, të cilat dyshohet se i përkisnin babait të tij, një ish-oficer policie. Ai shtoi se autori mbante me vete disa armë dhe municione, të cilat po verifikohen nga hetuesit.

Autoritetet turke po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila ka tronditur opinionin publik në vend dhe më gjerë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit