Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, duke vendosur masat e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” ndaj dy punonjësve të Policisë së Shtetit, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Bëhet fjalë për dy inspektorë me inicialet D. S., njëri me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Dibër, dhe tjetri me detyrë Trupë Shërbimi i Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Bulqizë.
Sipas njoftimit, masa e sigurisë është vendosur në kuadër të procedimit penal të vitit 2026, lidhur me ngjarjen e ndodhur më 10 mars 2026 në qytetin e Bulqizës, ku kanë mbetur të plagosur rëndë tre shtetas.
Nga hetimet rezulton se punonjësit e policisë nuk kanë përmbushur detyrat e tyre funksionale në zbatim të ligjit për Policinë e Shtetit, çka ka çuar në vendosjen e masave ndaj tyre.
Hetimet vijojnë.