Perandoria e mashtrimit të çiftit Pepnikaj: milionat e vjedhura u pastruan në sallone thonjsh dhe taksi

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 16.04.2026, 17:32

Një skemë që për vite me radhë funksionoi në heshtje, duke zhvendosur miliona euro nga xhepat e qytetarëve evropianë drejt Tiranës, sot po zbulohet si një industri e mirëfilltë mashtrimi, e ndërtuar hap pas hapi dhe e toleruar më gjatë seç duhej.

Në qendër të saj qëndron një çift i ri Granit dhe Anisa Pepnikaj, që në pak vite arriti të ndërtojë një rrjet të tërë call center-ash, duke i kthyer telefonatat në burim të ardhurash marramendëse. Modeli ishte i njohur: targetoheshin persona me potencial financiar në Evropë, josheshin me investime në Forex dhe kriptovaluta dhe më pas paratë zhdukeshin pa gjurmë. Një mekanizëm i përsëritur çdo ditë, çdo javë, deri në krijimin e një rrjedhe të qëndrueshme fitimi që llogaritet në dhjetëra miliona euro.

Ky aktivitet nuk ishte i izoluar. Ai u mbështet mbi një terren të përgatitur më herët, ku dhjetëra struktura të ngjashme operojnë prej vitesh. Ajo që e bën këtë rast më të rëndë është fakti se përveç mashtrimit, paralelisht u ndërtua edhe një rrjet kompanish që shërbenin si fasadë.

Fillimisht u shfaq Gama, një call center i hapur në vitin 2021, i cili u mbyll pa lënë pas asnjë bilanc të qartë financiar. Më pas erdhi Drita Energji SHPK, e ndjekur nga A&G Invest SHPK, kompani që në letër nuk justifikonin asnjë fitim, por që në praktikë shoqëroheshin me lëvizje të konsiderueshme financiare. Në vijim, aktiviteti u shpërnda në subjekte të tjera si Arhana SHPK, IBC Nails dhe AAA Taxi SHPK, të regjistruara kryesisht në emër të personave të afërt.

Në letër, këto kompani dukeshin të zakonshme, madje shpesh pa aktivitet real. Në terren, ndërkohë, tabloja ishte tjetër: investime në pasuri të paluajtshme, zgjerim aktivitetesh dhe një standard jetese që nuk përputhej aspak me të ardhurat e deklaruara. Një kontrast i fortë që ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si ky sistem ka funksionuar për kaq gjatë.

Një nga elementët më të dukshëm të kësaj skeme ishte mënyra e shpërndarjes së pronësisë. Sapo presioni i autoriteteve nisi të rritej, emrat në dokumente ndryshuan, bizneset kaluan në duar familjarësh dhe miqsh, ndërsa personat kryesorë u tërhoqën formalisht. Por në thelb, aktiviteti vijonte i njëjtë, një përpjekje e pastër për të humbur gjurmët pa ndryshuar realitetin.

Ajo që dikur dukej si një rrjet i paprekshëm, sot po çahet nga brenda. Dëshmitë e punonjësve, analizat financiare dhe gjurmët e transaksioneve po krijojnë një panoramë më të qartë të kësaj industrie mashtrimi. Për herë të parë, nuk bëhet fjalë vetëm për dyshime, por për një strukturë konkrete që ka funksionuar me rregulla të brendshme dhe objektiva të qarta.

Megjithatë, thelbi i problemit mbetet më i thellë se kaq. Kjo histori nuk është vetëm për disa kompani si Gama, Drita Energji, apo A&G Invest, por për një sistem të tërë që ka lejuar ngritjen dhe funksionimin e tyre. Sepse kur biznese hapen, mbyllen dhe rihapen pa asnjë transparencë, ndërsa paratë qarkullojnë lirshëm, përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm te individët.

Sot, kur hetimet po avancojnë dhe ky rrjet po zbërthehet pjesë-pjesë, pyetja që mbetet është e drejtpërdrejtë: a do të ndalet kjo histori te disa emra dhe disa kompani, apo do të prekë më në fund mekanizmin që e bëri të mundur një industri mashtrimi që zgjati për vite?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit