Një epokë e artë në futbollin shqiptar po shkon drejt fundit. Edlir Tetova, njeriu që ndërtoi nga themelet suksesin historik të Egnatias, pritet të mbyllë bashkëpunimin me klubin rrogozhinas në fund të sezonit, duke i dhënë fund një prej kapitujve më të suksesshëm të viteve të fundit.
Pavarësisht rezultateve mbresëlënëse në fushë, vendimi duket se po diktohet nga arsye më të forta se sporti: gjendja shëndetësore dhe dëshira për t’u rikthyer në Durrës.
Tetova mori drejtimin e Egnatias në janar të vitit 2023, duke marrë në dorë një projekt ende në ndërtim. Brenda një periudhe relativisht të shkurtër, ai arriti ta transformojë skuadrën nga një ekip pa peshë në elitën e futbollit shqiptar në një dominues të padiskutueshëm. Nën drejtimin e tij, Egnatia fitoi dy tituj kampion radhazi, dy Kupa të Shqipërisë dhe një Superkupë, duke hyrë për herë të parë në histori si kampione dhe duke realizuar edhe “Double”-in historik.
Por ndërsa suksesi sportiv arrinte kulmin, trajneri u përball me një sfidë shumë më të vështirë jashtë fushës. Tetova iu nënshtrua një ndërhyrjeje delikate në zemër, ndërsa komplikacione të tjera kërkojnë tashmë trajtim të mëtejshëm dhe një periudhë rikuperimi të plotë. Burime pranë klubit bëjnë me dije se tekniku do të ketë nevojë për të paktën 45 ditë terapi intensive, çka e bën të pamundur vijimin e punës me intensitetin që kërkon një skuadër pretendente për tituj.
Në këtë kontekst, ndarja me Egnatian shihet si një vendim i pashmangshëm, më shumë një pauzë e detyruar sesa një zgjedhje sportive.
Ndërkohë, e ardhmja e Tetovës duket se lidhet me një rikthim emocional në vendlindje. Durrësi dhe Teuta shfaqen si destinacioni më i mundshëm, ku ai mund të vijojë karrierën duke qenë më pranë familjes në një moment të rëndësishëm për shëndetin e tij. Një rikthim që do të kishte edhe simbolikë të veçantë, pasi aty nisi rrugëtimin si futbollist.
Tashmë mbetet vetëm konfirmimi zyrtar, por gjithçka tregon se bashkëpunimi i suksesshëm mes Tetovës dhe Egnatias po shkon drejt një mbylljeje të qetë, me respekt reciprok dhe me një trashëgimi që do të mbetet gjatë në historinë e klubit.