Call Center-at mashtruese/ Mekolli me 2 IP, një tek puna dhe një te shtëpia e vjehrrit

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 16.04.2026, 16:26

Hetimet për skemën e call-centerave mashtrues që vepronin ndaj qytetarëve austriakë kanë zbuluar përdorimin e teknologjive të avancuara të përgjimit dhe gjurmimit, përfshirë pajisjen “IMSI Catcher”, e cila shërben për lokalizimin e telefonave celularë. Sipas dosjes hetimore, përmes saj dhe analizës së dhjetëra adresave IP është bërë e mundur identifikimi në terren i personave dhe subjekteve të përfshira në aktivitetin kriminal.

Hetimet kanë treguar se mekanizmi i mashtrimit funksiononte përmes lidhjeve të internetit dhe IP-ve të regjistruara në banesa dhe kompani të ndryshme, të cilat më pas gjurmoheshin për të zbuluar përdoruesit realë. Mes rasteve të dokumentuara përmenden Ledio Toçi, i cili dyshohet se kishte përdorur numrin e vëllait të tij në kontrata, si dhe Xhoel Mekolli nga Vranishti i Devollit, i identifikuar përmes një lidhjeje interneti në një apartament në zonën “Kodra e Diellit” në Tiranë, që rezulton në emër të vjehrrit të tij, Artur Bishami.

Sipas prokurorisë, Mekolli rezulton i punësuar për periudha të gjata në subjekte si “Espiron Studio” dhe më herët në “Gama Network”, të dyja të dyshuara për aktivitet të ngjashëm mashtrimi. Në kuadër të hetimeve, gjykata e Tiranës ka lënë në “arrest me burg” katër persona, ndërsa një tjetër është vendosur në “ndalim daljeje jashtë vendit”. Po ashtu, disa operatorë të tjerë janë arrestuar në flagrancë, ndërsa dy persona të tjerë vijojnë të jenë në kërkim, mes tyre edhe Marsel Lami dhe Xhoni Hitaj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit