Një tjetër skandal me paratë e shëndetësisë ka shpërthyer, duke vënë në qendër të vëmendjes Operatorin e Blerjeve të Përqendruara dhe oligarkun Klodian Allajbeu. Ndonëse pak kohë më parë mediat raportuan për kontrolle të SPAK-ut në bizneset e tij, duket se kjo nuk e ka penguar Allajbeun të vijojë "vjeljen" e taksave të shqiptarëve me bekimin e Arlinda Pogaj.
Objekti i këtij tenderi të dyshimtë ishte "Loti 4: Sutura për Kardiokirurgjinë", me një fond limit prej rreth 843 mijë eurosh (pa TVSH). Fituesi, siç pritej në korridoret e institucioneve, u shpall kompania “E v i t a” shpk, e lidhur ngushtë me Klodian Allajbeun. Vlera fituese kap shifrën e 79,414,350 lekëve të reja, që me TVSH i kalon 1 milion euro.

Ajo që bën thirrje për hetim të menjëhershëm është vlera fituese. Kompania e Allajbeut ka ofruar një shifër që kap 94.1% të fondit limit, duke lënë pas një diferencë qesharake prej më pak se 6%. Kjo praktikë, e njohur në botën e prokurimeve si "fituesi i paracaktuar", tregon se nuk ka pasur asnjë garë reale për të kursyer paratë e shtetit, por vetëm një proces formal për të kaluar milionat në llogarinë e oligarkut.
Duke studiuar dokumentet e kësaj procedure (REF-74973-02-02-2026), skandali thellohet. Në "garë" kanë marrë pjesë vetëm dy firma: "Evita" e Allajbeut dhe një kompani tjetër, e cila në mënyrë të dyshimtë nuk ka ofruar asnjë vlerë monetare. Kjo është skema klasike e përdorur për të plotësuar numrin e pjesëmarrësve në letër, ndërkohë që rruga për fituesin është shtruar me tapet të kuq.

Pyetjet që sot rëndojnë mbi Arlinda Pogajn janë të drejtpërdrejta:
Është një habi e madhe për mbarë opinionin publik se si, ndërsa SPAK kryen kontrolle dhe hetime për afera korruptive, rrjeti i kompanive të Allajbeut mbetet i paprekshëm dhe vijon të furnizohet me kontrata miliona eurosh nga shëndetësia. Ndërkohë që qytetarët përballen me mungesë medikamentesh, paratë e tyre shkojnë për të majmur oligarkët përmes tenderave që vijnë "erë" korrupsion nga fillimi deri në fund.