Zjarri i djeshëm në një pallat 12-katësh pranë Farmacisë 10 në Tiranë la pas një tragjedi të rëndë, dhjetëra familje në qiell të hapur dhe rreth 30 apartamente të shkrumbuara plotësisht.
Flakët u përhapën me një shpejtësi alarmante, duke nxjerrë në pah një realitet të hidhur, diferencën e thellë mes çmimeve “luksoze” dhe cilësisë skandaloze të ndërtimit. Brenda pak minutash, fasada u përpi nga zjarri dhe mundi i shumë viteve për familjet u kthye në hi.
Por në mes të kësaj tragjedie, dolën në pah heronjtë e vërtetë.
Mes flakëve, tymit dhe rrezikut që shtohej çdo sekondë, zjarrfikësit hynë pa hezitim në ndërtesë. Njëri prej tyre arriti të depërtonte në zonën më të rrezikshme dhe të shpëtonte një grua që rrezikonte të mbetej brenda. Me qetësi dhe vendosmëri, ai e nxori nga flakët dhe, për ta mbrojtur, hoqi kokoren e tij duke ia vendosur asaj në kokë një gjest që flet më shumë se çdo fjalë për sakrificën dhe përkushtimin.
Ndërkohë, të tjerë zjarrfikës u ngjitën drejt kateve të sipërme, ndërsa copat e fasadës së djegur bien mbi ta. Të lënduar, por të pathyer, ata vazhduan ndërhyrjen, duke mos u tërhequr për asnjë moment.
Kjo ngjarje nuk është vetëm një tragjedi, është një pasqyrë e një problemi të kahershëm: ndërtimet pa standarde dhe mungesa e investimeve në shërbime jetike si zjarrfikësja. Në një qytet që rritet çdo ditë në lartësi, ata që përballen të parët me flakët vazhdojnë të punojnë në kushte të vështira, shpesh pa mbrojtjen dhe pajisjet e nevojshme.
Dhe megjithatë, ata nuk ndalen.
Sot, redaksia e JOQ përmend me zë të lartë heronjtë e kësaj tragjedie, ndërkohë që kurrsesi s’mund të lëmë pas kolegët e tjerë, Herald Metani, Ervin Lleshi, Mikel Tafa, Jonus Murataj dhe Marsel Troshku, janë vetëm disa prej zjarrfikësve që rrezikuan jetën, shpëtuan banorët më të rrezikuar dhe mbetën të lënduar gjatë përballjes me flakët.
Ata nuk kërkuan vëmendje. Ata bënë detyrën. Por detyra e tyre ishte heroizëm.