Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion ka ndërmarrë një hap goditës duke shpallur zyrtarisht në kërkim ndërkombëtar Jetmir Pepën, një prej emrave më të fuqishëm të industrisë së ndërtimit në Shqipëri.
Ky vendim vjen si pasojë e dyshimeve të forta se Pepa është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që operon në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe pastrimin e parave. Ndonëse SPAK është treguar i rezervuar në dhënien e detajeve specifike, konfirmimi zyrtar flet për një operacion të gjerë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ku përfshihen gjithsej 11 persona.
Në njoftimin paraprak, prokuroria thekson se ky procedim penal lidhet drejtpërdrejt me krimin e organizuar dhe investimin e parave me burime të dyshimta në ekonominë e vendit, duke paralajmëruar se informacione të tjera do të bëhen publike në vijim të hetimeve.
Tronditja e vërtetë e këtij lajmi qëndron në profilin e Jetmir Pepës si një partner i preferuar i pushtetit qendror dhe vendor. Kompania e tij, "Pepa Group", rezulton të jetë një "makineri" e vërtetë për thithjen e fondeve publike, duke arkëtuar mbi 20 milionë euro nga tenderat vetëm në harkun kohor 2019-2025.
Ky sukses financiar pritej të rritej edhe më shumë, duke marrë parasysh kontratat e shumta të nënshkruara me Bashkinë e Tiranës dhe qeverinë shqiptare, kryesisht në projekte strategjike si Rindërtimi dhe ndërtimi i institucioneve arsimore.
Ndërkohë që ligjërisht Pepa mbetet nën prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjykate, përfshirja e tij në listën e të kërkuarve të SPAK ngre pikëpyetje serioze mbi kriteret e përzgjedhjes së kompanive që menaxhojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Një prej fakteve më absurde të kësaj dosjeje është fakti se "grupi kriminal" i dyshuar ka pasur në dorë ndërtimin e shkollave ku mësojnë fëmijët kryeqytetas. Gjurmët e "Pepa Group" gjenden te shkolla "Kosova", një projekt që dikur promovohej me bujë nga Erion Veliaj.
Në fund të vitit 2019, kjo kompani fitoi kontratën për terrenet sportive të kësaj shkolle pasi ishin skualifikuar plot 9 konkurrentë të tjerë. Skema duket se është përsëritur edhe me shkollën "Pjetër Budi" në prill të vitit 2024, ku pas skualifikimit të 10 kompanive, Jetmir Pepa siguroi një kontratë prej rreth 3.7 milionë eurosh. Këto procedura, të cilat shpesh përfundonin me eliminimin masiv të operatorëve të tjerë në garë, kanë lejuar që miliona euro të shkojnë në llogaritë e një njeriu që sot akuzohet për trafik droge.
Shtrirja e aktivitetit të "Pepa Group" nuk u kufizua vetëm në Tiranë, por u zgjerua edhe në qytete të tjera si Durrësi dhe Fushë-Arrëzi. Në nëntor të vitit 2024, kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako, i besoi Jetmir Pepës ndërtimin e shkollës Vadardh në Sukth, një projekt prej 2.7 milionë eurosh i financuar nga fondet e Rindërtimit.
Po ashtu, në Fushë-Arrëz, kjo kompani fitoi ndërtimin e palestrës së shkollës "70-Vjetori". Përveç arsimit, kompania u fut me sukses edhe në sektorin kulturor, duke fituar tenderin për qendrën "Ten" në zonën e Myslym Shyrit, një projekt i kontestuar fort nga banorët dhe që aktualisht është i bllokuar në gjykatë.
Së fundmi, në korrik 2024, Veliaj i dha Pepës edhe një kontratë tjetër majme prej 10 milionë eurosh për ndërtimin e ambienteve në qendrën ekonomike "TEDA", duke e konfirmuar atë si një nga përfituesit kryesorë të fondeve të bashkisë.
Megjithatë, "mina e artë" për Jetmir Pepën ka qenë padyshim Programi i Rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019. Falë akteve normative që lejuan tendera emergjence me procedura të përshpejtuara dhe konkurrencë të kufizuar, "Pepa Group" u kthye në një fitues të përhershëm. Lista e projekteve është e pafundme, duke filluar nga godinat shumëkatëshe te zona "5 Maji", deri te dhjetëra banesa individuale në Ndroq, Krrabë, Pezë, Shëngjergj, Dajt, Baldushk dhe Bërzhitë.
Kjo situatë krijon një paradoks të frikshëm ku paratë e destinuara për të ndihmuar familjet e mbetura pa strehë, mund të kenë përfunduar në duart e personave që SPAK i akuzon si pjesë të strukturave të trafikut të narkotikëve. Tashmë që drejtësia ka nisur lëvizjet, mbetet për t’u parë se sa thellë shkojnë lidhjet e këtij biznesmeni me zyrtarët që i firmosën çekun e miliona eurove.