Një operacion i gjerë antidrogë i shtrirë në Tiranë dhe disa qytete të vendit, i zhvilluar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ka goditur një grup kriminal që dyshohet për trafik ndërkombëtar të kokainës.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), janë lëshuar 11 masa sigurie, mes tyre edhe për një emër të njohur për autoritetet, Jetmir Pepa alias Marashi. Ky i fundit rezulton i shpallur në kërkim që prej janarit 2025, pasi dyshohet se qëlloi me armë zjarri gjatë një koncerti festiv “Cinco Cavalli” në Parkun Olimpik të Tiranës.
Masat janë kërkuar nga prokurori Alfred Shehu, ndërsa deri më tani janë vënë në pranga vetëm tre persona: Lulzim Pepaj, Florian Marku dhe Anton Kola.
Në kuadër të operacionit, SPAK ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro, të dyshuara si përfitime nga aktiviteti kriminal. Sipas hetimeve, grupi ka trafikuar në 8 episode të ndryshme rreth 7.5 ton kokainë nga Amerika Latine drejt Europës.
Mes pasurive të sekuestruara përfshihen kompani, aksione në disa shoqëri tregtare, një hotel në Tiranë, një klinikë estetike, dhjetëra prona të paluajtshme në disa qytete të vendit, 89 automjete të ndryshme dhe 72 llogari bankare të lidhura me personat nën hetim.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht aktivitetin e këtij grupi dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.