Pasi hypi në kangjella dhe u fut në ambientet e SPAK, banorja nga Kurbini u nxor me forcë nga policët, ndërsa më pas është shprehur për mediat lidhur me veprimin e saj.
Ajo deklaroi se ky ishte një akt i detyruar pas një përplasjeje të gjatë ligjore për një pronë, për të cilën pretendon se ka dokumente të rregullta dhe vendime gjyqësore në favor. Sipas saj, megjithëse i ka ndjekur të gjitha rrugët ligjore, ende nuk ka arritur të marrë të drejtën që i takon.
Banorja theksoi gjithashtu se jeton në kushte të vështira dhe se prona për të cilën lufton është dëmtuar ndër vite. Ajo u bëri thirrje institucioneve që të ndërhyjnë dhe të zgjidhin çështjen e saj, duke e cilësuar situatën si një padrejtësi të zgjatur.
“Të vijnë dhe të shohin shtëpinë time, jam me myk e sëmurë. Drane Gjoka, kam blerë një repart ushtarak në vitin 1990 dhe këtë repart e kam fituar me gjyq. E kam dhënë lekët në bankën e shtetit me mandat arkëtimi, e kam fituar edhe me gjyq dhe pastaj, kur repartin ma rrethuan, më kanë marrë hyrjen, një pagesë për tokën, një për ndërtesën. Tani këtë ndërtesë, e ka bërë kryetari i Bashkisë Luigj Isufi në 2005 dhe Gjovalin Isufi, të dy vëllezër, punonin në bashki dhe gruaja e tij punonte në bashki. Gjithmonë rrethi Kurbin ka qenë bashki familjare dhe të gjithë të afërmit e tij. Sot i kam të gjitha me dokumente. Më kanë fshehur dosjet, vendimet e gjyqeve. Problemi jonë është shkatërrim dhe përvetësim prone nga Bashkia Laç. Pronë banesë e cila është dëmtuar nga ujërat e bardha. Më kanë vendosur tre puseta lart. Pronën, tani unë jetoj që nga ’90 aty, kam bërë gjyq dhe e kam fituar dhe kam marrë certifikatën dhe e kam vendimin e gjyqit, tha ajo.