Pamje të reja dramatike nga zjarri masiv pranë QSUT-së kanë mbërritur në redaksinë tonë, duke treguar edhe një herë sakrificën ekstreme të zjarrfikësve në përpjekje për të shpëtuar banorët e bllokuar në pallatin që u përfshi nga flakët.
Në video shihen qartë dy zjarrfikës duke u ngjitur me shkallë drejt kateve të sipërme të godinës, ndërkohë që flakët dhe tymi i dendur vijojnë të përfshijnë fasadën. Situata bëhet edhe më dramatike kur nga pallati nisin të bien copa materiali dhe pjesë të fasadës së djegur.
Pamjet tregojnë momentin kur copat që shkëputen nga godina bien mbi zjarrfikësit gjatë ndërhyrjes, duke i lënë të lënduar, megjithatë ata nuk tërhiqen dhe vijojnë operacionin për shpëtimin e banorëve.
Ky episod nxjerr në pah jo vetëm heroizmin e tyre, por edhe kushtet tepër të vështira në të cilat detyrohen të punojnë. Në një situatë ku çdo sekondë mund të bëjë diferencën mes jetës dhe vdekjes, zjarrfikësit përballen me flakët, tymin toksik dhe rënien e materialeve nga lart, shpesh pa mbështetjen teknike dhe pajisjet moderne që kërkojnë standardet e sigurisë.
Ngjarja pranë QSUT-së riktheu në vëmendje një problem të kahershëm: kushtet primitive dhe mungesa e investimeve për një shërbim jetik si zjarrfikësja. Ndërsa qyteti mbushet me ndërtesa gjithnjë e më të larta dhe komplekse, ata që hyjnë të parët mes flakëve vazhdojnë të përballen me rrezik ekstrem.
Çdo ndërhyrje e tyre është kthyer në një akt heroizmi të detyruar. Në vend që sistemi t’i mbrojë, janë vetë individët që sakrifikojnë përtej çdo norme për të shpëtuar jetë.
Pamjet e sotme janë dëshmia më e fortë: mes flakëve, tymit dhe copave që bien nga pallati, zjarrfikësit shqiptarë vazhdojnë të vendosin jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar të tjerët.