Digjet shtëpia e kreut të SPAK te pallati i Mand Lilos

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 14.04.2026, 22:19

Një incident i rëndë ka ndodhur sot te pallati i famshëm i Mand Lilos, ku zjarri, me një guxim që zakonisht i mungon vetëm dëshmitarëve të mbrojtur, ka depërtuar brenda shtëpisë së kreut të SPAK, duke djegur çdo gjë përveç çertifikatës së Vetingut.

Sipas raportimeve nga terreni, zjarri është turrur drejt apartamentit të Klodian Brahos pa bërë asnjë kërkesë zyrtare për ndërhyrje dhe pa pritur që BKH-ja të mbërrinte për të dokumentuar procesin. Burime nga SPAK konfirmojnë se tashmë është lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar për "Flakën", e cila akuzohet për "ndërhyrje në kompetenca" dhe "shkatërrim të provave pa autorizim".

"Ne po hetojmë nëse ky zjarr ka lidhje me grupet kriminale apo është thjesht një hakmarrje e fasadës 2700 euro metri katror, e cila u ndje e ofenduar nga prania e kaq shumë drejtësie brenda saj," deklaroi një zëdhënës i Prokurorisë, ndërsa po mbante procesverbalin mbi kokë për t'u mbrojtur nga hiri i lartësisë.

Vetë Mand Lilo, nga një vendndodhje e panjohur (ndoshta duke llogaritur fitimet e radhës), ka sqaruar se pallati i tij nuk po digjej, por thjesht po i nënshtrohej një "testi stresi" për të parë nëse drejtësia e re i rezistonte temperaturave mbi 500 gradë. "Nëse shtëpia e shefit të SPAK shpëton, do t'i rritim çmimet në 3000 euro," mësohet të ketë thënë ai me optimizëm ndërtuesi.

Deri më tani, zjarri nuk ka pranuar të dëshmojë, duke mbajtur qëndrim mohues dhe duke u fshehur pas një reje tymi të zi. Ndërkohë, kreu i SPAK është parë duke kontrolluar mbetjet e shkrumbuara, me shpresën se imuniteti i tij diplomatik do të kishte mbrojtur të paktën frigoriferin.

"Ky është një sulm direkt ndaj institucionit tonë," tha një efektiv i policisë që po ruante zonën. "Të djegësh shtëpinë e kreut të SPAK pa pasur një dosje të hapur është shkelje e hapur e procedurës penale. Ne presim që zjarri të dorëzohet brenda 24 orëve, ose do t'i sekuestrojmë gjithë oksigjenin."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit