Flakët që përpinë një pallat të kompanisë “Arlis” pranë zonës së njohur si “Farmacia 10” në Tiranë nuk lanë pas vetëm apartamente të djegura dhe familje të tronditura. Ato nxorën në sipërfaqe edhe një pyetje shumë më të pakëndshme: A ekziston realisht vullneti për të hetuar përgjegjësit?
Në qendër të kësaj historie qëndron emri i Armand Lilos, oligarkut i cili prej kohësh përmendet në tregun e ndërtimit si një ndër aktorët më të fuqishëm. Por kur vjen puna te llogaridhënia, gjithçka duket sikur mjegullohet.
Ironia është e hidhur: kush do ta hetojë Armand Lilon?
Sipas burimeve në media, Arenc Çela, prokurori i Rrethit Tiranë në qarqe të ndryshme flitet për interesa të ndërthurura me të njëjtin biznes, e kreu i SPAK Klod Braho rezulton të ketë një pronë në një prej komplekseve luksoze të ndërtuara në të njëjtin model zhvillimi. Deputetët e mazhorancës dhe opozitës, janë ata të cilët në publik flasin për transparencë, ndërsa në privat përfitojnë apartamente falas.
Në një treg ku çmimet zyrtare dhe ato reale shpesh nuk përputhen, dhe ku lidhjet mes ndërtuesve dhe vendimmarrësve përfliten si sekret publik, një hetim i paanshëm duket më shumë si përjashtim sesa rregull.
Ndërkohë, për banorët që panë shtëpitë e tyre të shkrumbëzohen, këto pyetje nuk janë thjesht retorikë. Janë thelbi i sigurisë së tyre... dhe prova nëse ky zjarr do të shuhet vetëm me ujë, apo edhe me drejtësi.