Tre orë përballje intensive me flakët kanë tronditur Tiranën, pasi një zjarr i fuqishëm përfshiu pallatin në kryqëzimin e zonës së njohur si Farmacia 10, duke shkaktuar panik tek banorët, qytetarët dhe dëme të konsiderueshme.
Operacioni për shuarjen e zjarrit vijon ende, ndërsa në terren janë angazhuar dhjetëra forca shpëtimi. Tetë mjete zjarrfikëse, efektivë të policisë, si dhe rreth 50 pjesëtarë nga ushtria dhe emergjencat civile po punojnë pa ndërprerje. Nga ajri, dy helikopterë Cougar po mbështesin ndërhyrjen, në përpjekje për të vënë nën kontroll situatën.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë shpërthyer fillimisht në një market në katin e parë, për t’u përhapur më pas me shpejtësi në të gjithë godinën, duke e përfshirë thuajse plotësisht.
Në vendngjarje ishte i pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, shef Neri, i cili theksoi se hetimet do të jenë të plota dhe pa kompromis.
“Akoma nuk janë kontrolluar të gjitha apartamentet. Po grumbullojmë gjithë provat e nevojshme. Do marrim gjithë kamerat e sigurisë dhe do kryejmë gjithë procedurat hetimore. Dhe nëse zjarri ka ardhur nga persona të jashtëm, patjetër që do ketë edhe masa ekstreme”, u shpreh ai.
Pra drejtori i Policisë së Shtetit u zotua se për personat përgjegjës për zjarrin e shkaktuar aksidentalisht në pallat do të ketë masa ekstreme, por për oligarkun përgjegjës të Arlis Construction Armand Lilos, fasada e të cilit është realizuar me materialin polisterol të djegshëm "cheap"... që u kthye në ndezësin e pallatit dhe lënien pa shtëpi të atyre që kanë paguar mbi 150,000€ për mure prej letre.
Nga ana tjetër, drejtori i zjarrfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, bëri me dije se flakët janë lokalizuar, por puna vazhdon për shuarjen e plotë. Ai nënvizoi se fasada e ndërtesës ka ndikuar ndjeshëm në përhapjen e shpejtë të zjarrit.
“Fasada ndihmoi përhapjen e flakëve në të gjithë objektin. Jemi duke punuar në të dyja faqet e objektit me autoshkalla ndërkohë që brenda objektit ndodhet një grup që po punon për shuarjen e vatrës së zjarrit. Paralelisht jemi angazhuar me të gjithë forcat e mjetet për të izoluar vatrën e zjarrit. Për momentin kemi izoluar vatrën e zjarrit brenda një seksioni dhe nuk ka rrezik prekja e seksioneve të tjera”.
Bilanci paraprak flet për 11 persona të lënduar, mes tyre banorë dhe efektivë zjarrfikës. Një prej të plagosurve ka pësuar djegie dhe është transportuar në repartin e specializuar në QSUT, ndërsa të tjerë po marrin trajtim në urgjencë dhe toksikologji.
Ndërkohë, autoritetet kanë paralajmëruar se pas përfundimit të operacionit do të nisë një hetim i thelluar për të zbardhur shkaqet dhe për të përcaktuar përgjegjësit, duke mos përjashtuar masa të ashpra nëse konstatohet shkelje apo ndërhyrje e qëllimshme.