Kompleksi i pallateve pranë zonës së njohur si “Farmacia 10”, afër QSUT-së, i përfshirë sot nga një zjarr masiv, rezulton të jetë përballur me një incident të ngjashëm edhe disa vite më parë.
Bëhet fjalë për godinën e ndërtuar nga kompania “Arlis shpk”, e lidhur me ndërtuesin Armand Lilo, ku flakët përfshinë pasditen e sotme fasadën e pallatit dhe u përhapën me shpejtësi në disa kate të ndërtesës.
Pamjet dramatike nga vendngjarja treguan flakë të fuqishme që shkrumbuan pjesën e jashtme të godinës, ndërsa zjarrfikësit, policia dhe forcat e emergjencës u angazhuan në një operacion të gjerë për izolimin e zjarrit dhe evakuuimin e banorëve. Sipas raportimeve të deritanishme, disa persona, përfshirë banorë dhe zjarrfikës, janë transportuar në spital me shenja asfiksie, ndërsa në terren ndërhyri edhe një helikopter.
Ajo që e bën edhe më shqetësues këtë rast është fakti se i njëjti kompleks është përfshirë nga flakët edhe në vitin 2021. Në atë kohë, ndërtesa ishte ende në fazë ndërtimi, kur zjarri dogji fasadën dhe disa apartamente në katet e sipërme.
Ky incident vërteton denoncimin e fortë të bërë nga JOQ Albania që në maj të vitit 2021, ku përmes pamjeve ekskluzive alarmuam se në këtë kompleks po përdorej shkumbë në vend të leshit të gurit anti-zjarr. Ndonëse kompania 'Arlis' atëkohë e mohoi akuzën duke e cilësuar materialin si 'teknologji të lartë', flakët e sotme që shkrumbuan fasadën dëshmojnë se siguria e jetës së banorëve është sakrifikuar për kosto më të ulëta ndërtimi.
Pra, për herë të dytë brenda pak vitesh, kompleksi “Arlis” bëhet skenë e një zjarri të përmasave të mëdha, çka pritet të ngrejë pyetje serioze mbi sigurinë e godinës dhe materialet e përdorura në fasadë.
Deri në këto momente, shkaqet e zjarrit të sotëm mbeten ende të paqarta.