Zjarri pranë QSUT, zjarrfikësit shqiptarë rrezikojnë jetën e tyre duke punuar në kushte primitive

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 14.04.2026, 19:04

Flakët që përfshinë pallatet pranë QSUT nuk zbuluan vetëm rrezikun e përhershëm nga zjarret dhe banorët, por edhe një realitet shumë më të rëndë: kushtet primitive në të cilat detyrohen të punojnë zjarrfikësit shqiptarë.

Në një situatë ku çdo sekondë vlen jetë, ata u përballën me flakët pa mbështetjen e duhur teknike, shpesh me mjete të amortizuara dhe mungesë të theksuar pajisjesh mbrojtëse. Në vend që të jenë të pajisur me standarde moderne sigurie, shumë prej tyre hyjnë në ndërtesa të përfshira nga zjarri me rrezik të drejtpërdrejtë për jetën, të ekspozuar ndaj tymit toksik dhe temperaturave ekstreme.

Ngjarja pranë QSUT riktheu në vëmendje një problem të kahershëm: neglizhencën institucionale ndaj një shërbimi jetik. Zjarrfikësit nuk janë thjesht punonjës të një sektori publik, ata janë linja e parë e shpëtimit në raste emergjence. Megjithatë, përballen çdo ditë me mungesë veshjesh profesionale, mungesë maskash cilësore, mungesë mjetesh moderne dhe, në shumë raste, edhe mungesë trajnimesh të vazhdueshme.

Ironia është e hidhur: ndërsa qyteti rritet me ritme të shpejta dhe ndërtesat bëhen gjithnjë e më komplekse, ata që duhet të përballen me katastrofat vazhdojnë të punojnë në kushte që i përkasin një realiteti të kaluar. Çdo ndërhyrje bëhet një akt heroizmi i detyruar, jo sepse sistemi funksionon, por sepse individët sakrifikojnë përtej çdo norme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit