Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një pallat shumëkatësh në zonën e njohur si “Farmacia 10”, pranë QSUT-së në Tiranë, duke shkaktuar panik dhe frikë tek banorët e zonës.
Pamjet e mbërritura në redaksi tregojnë momentin dramatik kur flakët masive kanë shkrumbuar pothuajse plotësisht fasadën e ndërtesës, ndërsa tymi i dendur ka mbuluar të gjithë zonën përreth. Sipas informacioneve paraprake, ekziston dyshimi se nga flakët mund të jetë përfshirë edhe pjesa e brendshme e pallatit, megjithatë kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Në terren kanë mbërritur disa mjete zjarrfikëse dhe forca të shumta policie, ndërsa sirenat dëgjohen në të gjithë zonën. Zjarrfikësit po luftojnë intensivisht me flakët, të cilat deri në këto momente ende nuk janë neutralizuar.
Në pamje të tjera që redaksia jonë ka siguruar shihen zjarrfikësit duke u ngjitur në katet e sipërme të pallatit për të evakuuar banorët që kanë mbetur ende brenda, ku ndër to shihet dhe një e moshuar.
Banorët e zonës janë tmerruar nga përmasat e zjarrit dhe frika më e madhe mbetet përhapja e flakëve në ndërtesat ngjitur.
Deri më tani nuk ka informacion zyrtar nëse ka persona të lënduar, ndërsa autoritetet po punojnë për evakuimin e plotë të banorëve dhe izolimin e zjarrit.