Dy qytetarë nga Tiranë i janë drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar atë që ata e përshkruajnë si prishje të qetësisë publike në zonën e Yzberisht, ku sipas tyre po kryhen punime dhe shembje në orët e vona të natës.
“Ora 12 e natës po shkon dhe shoqërisë së ndërtimit 'Gjata Konstruksion' i është tekur që punimet dhe shembjet t’i bëjë natën vonë. Kemi kaluar ditë të lodhshme dhe darkave na pret simfonia e shembjeve”, shprehet një prej denoncuesve.
Ajo pretendon se ka njoftuar policinë, e cila sipas saj ka mbërritur në zonë, por pas një bisede telefonike është larguar, ndërsa punimet kanë vijuar.
Në videot e dërguara në redaksi shihet një patrullë policie pranë zonës, e cila më pas largohet, ndërsa zhurmat e punimeve dëgjohen ende në pamje.
“Po bëjnë punime akoma me skavatorin, duke shembur e shkatërruar. Kemi fëmijë të vegjël dhe sapo i vëmë në gjumë, fillojnë me skavatorin. Tre herë ma kanë zgjuar fëmijën,” shprehet një qytetar tjetër.
Sipas tyre, zhurmat po shqetësojnë banorët e pallateve përreth, veçanërisht familjet me fëmijë të vegjël.
JOQ Albania publikon këtë rast si denoncim qytetar dhe pret një reagim apo sqarim nga autoritetet përkatëse lidhur me punimet e kryera në orët e vona të natës.