Janë zbardhur emrat e shtatë anëtarëve të komisionit që mori në shqyrtim dhe shpalli fitues koncesionin për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, të cilët tashmë janë nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera. Bëhet fjalë për Klejda Ngjelën, aktualisht sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Brendshme, si dhe Teuta Balilin, drejtoreshë e Partneritetit Publik Privat në Fushën e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ervin Durajn, Lilika Radovickën drejtoreshe e Programeve të Zhvillimit të Transportit, Infrastrukturës dhe Zhvillimit Urban, Edlira Krajën, Drejtoresh Ekzekutive e Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, Aurora Pengun dhe Gazmir Vehbiun ekonomist në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve.
Sipas hetimeve, këta zyrtarë dyshohet se në bashkëpunim kanë favorizuar bashkimin e kompanive “Mabco Construction”, “YDA Group” dhe “2A Group”, duke ndikuar në kualifikimin dhe shpalljen e tyre fituese në procedurën koncesionare. Dosja hetimore thekson se ka indicie për paracaktim të garës, duke cenuar konkurrencën dhe barazinë mes operatorëve ekonomikë pjesëmarrës.
Hetimet për këtë çështje kanë nisur që në vitin 2021, ndërsa vetëm pak javë më parë SPAK ka ngritur akuzat e para për anëtarët e komisionit. Ndërkohë, procesi hetimor vijon dhe pritet të përfshijë edhe zyrtarë të tjerë të lartë, në një kohë kur projekti i Aeroportit të Vlorës është përfshirë edhe në përplasje gjyqësore mes aksionerëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi.