Autori i vrasjes së 48-vjeçarit Artur Çangu në Fushë Krujë, Eduart Afmataj, ka dëshmuar para grupit hetimor duke treguar dinamikën e ngjarjes. Sipas tij, fillimisht mes tyre ka pasur një konflikt verbal, i cili më pas ka eskaluar në përplasje fizike.
Afmataj ka deklaruar se Artur Çangu e ka goditur me një kosë të vogël në krah, ndërsa ai më pas ka marrë një çifte dhe ka qëlluar 48-vjeçarin, duke i shkaktuar vdekjen. Pas ngjarjes, ai ka njoftuar Policinë dhe më pas është larguar nga vendi i krimit.
Autori është arrestuar brenda 24 orëve në zonën e Bruz Malit në Malësi të Krujës, ku ishte fshehur në një zonë të thellë. Gjatë arrestimit ai nuk ka bërë rezistencë, ndërsa arma e krimit ende nuk është gjetur nga policia.