Një incident i rrezikshëm është rregjistruar pak ditë më parë në zonën pranë tunelit të Llogarasë, ku një drejtues mjeti ka kryer një parakalim të gabuar, duke rrezikuar jetën e përdoruesve të tjerë të rrugës.
Sipas denoncimit fillimisht, menjëherë pasi ka dalë nga tuneli, në një segment me vijë të pandërprerë dhe vetëm një korsi për zbritje, shoferi ka ndërmarrë një manovër të rrezikshme parakalimi duke rrezikuar përplasje me një mjet tjetër.
Pas publikimit të rastit, ka reaguar edhe vetë drejtuesi i mjetit, i cili ka dhënë versionin e tij për JOQ Albania. Ai shprehet se nuk ka vepruar nga papërgjegjshmëria, por si pasojë e një situate emergjente shëndetësore.
“Përshëndetje JOQ! Jam shoferi që kam kryer parakalimin në Llogara. Nuk jam nga ata që bëjnë manovra të rrezikshme apo nuk respektojnë rregullat, por atë ditë kisha çarë kokën në punë dhe më kishte hyrë një gur i vogël. Ambulanca vononte dhe po humbisja gjak. U detyrova të veproja vetë për të shkuar në spital. Nuk e bëra nga qejfi, por nga rrethanat,” – shprehet ai.