Më 11 prill 2025 u raportua hapja e procesit për koncesionin e Vilave Qeveritare në Ujin e Ftohtë të Vlorës, një kompleks shtetëror me tre vila dhe mbi 1,600 m² ndërtim në një nga zonat më strategjike të bregdetit shqiptar. Projekti i Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH) u prezantua si “rikonceptim për akomodim elitar”, por që në nisje u shoqërua me pikëpyetje për mënyrën e garës dhe transparencën e procesit.
Në listën e emrave të përfolur atëherë u renditën kompani të lidhura me disa prej figurave më të njohura të biznesit dhe politikës në vend: Ardian Kollozi përmes “Blu Horizont 2005”, Alban Xhillari me “Soleil and Sea”, struktura të lidhura me Behgjet Pacollin përmes “2A Group”, si edhe Vëllezërit Dulaku me “Edil-Al-IT” në bashkëpunim me “Zdrava”. Një garë ku emrat ishin të mëdhenj, por informacioni publik për kriteret, pikët dhe procedurën mbeti i vogël.
Sot, një vit më pas, pyetja që atëherë u bë me zë të lartë është ende e njëjtë, vetëm më e heshtur: kush e mori realisht Ujin e Ftohtë të Vlorës? A u finalizua një garë me konkurrencë të hapur apo një proces i mbyllur mes interesash të njohura? Kjo mbetet një histori ku vila dihet ku është, por pronari publik ende jo.
