Ndjekja policore përfundon në tragjedi, i dyshuari gjendet i pajetë pas përplasjes

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.04.2026, 23:59

Një ndjekje policore që zgjati afro një orë në Kaliforninë Jugore përfundoi në mënyrë tragjike në Jurupa Valley, ku i dyshuari u gjet më pas i pajetë brenda automjetit, pas një përplasjeje të fortë dhe një përballjeje të zgjatur me policinë.

Sipas mediave amerikane dhe autoriteteve lokale, gjithçka nisi pak pas orës 14:00, kur efektivët e Riverside County Sheriff’s Department identifikuan një person të kërkuar për vjedhje të rëndë duke drejtuar një automjet tip Cadillac pranë Pat’s Ranch Road dhe Limonite Avenue. Kur policia tentoi ta ndalonte, ai u largua me shpejtësi, duke nisur një ndjekje që përshkoi disa akse rrugore dhe autostrada të zonës.

Gjatë ndjekjes, autoritetet morën informacion se i dyshuari ishte i armatosur me armë zjarri. Pas afro një ore, policia tentoi të përdorte pajisjen e njohur si “Grappler”, e projektuar për të bllokuar rrotat e pasme të mjetit dhe për t’i dhënë fund ndjekjes.

Megjithatë, tentativa rezultoi e pasuksesshme dhe drejtuesi humbi kontrollin e automjetit, duke kaluar në disa korsi përpara se të përplasej me shpejtësi të lartë në një mur betoni pranë një banese në Antigua Drive. Përplasja shkaktoi dëme të rënda në pjesën ballore të mjetit.

Pas aksidentit pasoi një tjetër moment tensioni, pasi i dyshuari refuzoi të dilte nga makina dhe policia ngriti një perimetër sigurie, ndërsa në vendngjarje mbërriti edhe ekipi i negociatorëve.

Pas disa përpjekjeve për dorëzim paqësor, autoritetet ndërhynë dhe, sipas njoftimit zyrtar, e gjetën personin me plagë në përputhje me një vetëqëllim me armë zjarri.

I dyshuari u nxor nga automjeti nga forcat e policisë dhe më pas u konstatua pa shenja jete nga ekipet e emergjencës në vendngjarje.

Ngjarja ka shkaktuar debat të fortë në SHBA, sidomos për përdorimin e pajisjes “Grappler” dhe rrezikun që ndjekje të tilla paraqesin për zonat e banuara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit