Një qytetare nga Shkodra i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim që lidhet me higjienën ushqimore në një biznes lokal.
Sipas saj, në byrekun që kishte blerë në një byrektore pranë rrugës Dergjini, ka konstatuar një qime, moment të cilin e ka filmuar dhe e ka dërguar në redaksinë tonë. Në video shihet teksa ajo e heq qimen nga byreku, duke e cilësuar situatën si të papranueshme.
Qytetarja pretendon se nuk është hera e parë që i ndodh një gjë e tillë në të njëjtin biznes. Sipas mesazhit të saj, raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë, por ajo i kishte anashkaluar, deri në momentin që, sipas saj, “u mbush kupa”.
“Nuk është hera e parë që ndodh. Më ka ndodhur më shumë se dy herë dhe e kam anashkaluar, por të paguaj lekë dhe të më qëllojë kështu nuk më duket e arsyeshme”, shprehet ajo në mesazhin e dërguar.
Ajo shton gjithashtu se një herë tjetër, teksa po blinte byrek, kishte vënë re një qime sipër produktit dhe, pasi ia kishte vënë në dukje punonjëses, kjo e fundit, sipas pretendimit të saj, e kishte hequr qimen dhe e kishte paketuar sërish.
JOQ Albania e publikon këtë denoncim në interes të informimit publik dhe pret një reagim nga subjekti në fjalë apo institucionet përgjegjëse për kontrollin e sigurisë ushqimore.