“Dy Tigrat” e Vlorës, termocentralet lundruese të vendosura në vjeshtën e vitit 2022 si përgjigje ndaj krizës energjetike që shpërtheu në fund të vitit 2021, rezultuan një investim me kosto të lartë dhe eficiencë minimale. Edhe pse në atë kohë justifikimi lidhej me çmimet rekord të energjisë që arritën kulmin në gusht 2022, këto njësi nuk u vunë kurrë në punë në kapacitet të plotë. Të dhënat e fundit tregojnë se gjatë vitit 2025 ato prodhuan vetëm 77 mijë MWh energji, që përbën rreth 1% të prodhimit neto vendas prej 7.44 milionë MWh, duke nxjerrë në pah një kontribut thuajse të papërfillshëm në sistemin energjetik të vendit.
Këto termocentrale, pjesë e aseteve të KESH, së bashku me tre hidrocentralet e Kaskadës së Lumit Drin, TEC-in e Vlorës dhe impiantin fotovoltaik “Qyrsaq”, kanë një kapacitet total të instaluar prej rreth 1,563 MW. Nga ky total, 1,350 MW i përkasin hidrocentraleve, 98 MW TEC-it të Vlorës dhe 110 MW dy “Tigrave”. Megjithatë, prodhimi nga gjeneruesit termikë rezultoi gjithmonë i kushtueshëm: një skenar për vitin 2023 parashikonte prodhim prej 884 GWh me një kosto 185 euro/MWh, ose rreth 165 milionë euro në total një plan që nuk u realizua kurrë. Ndërkohë, vlera e vetë gjeneratorëve llogaritet rreth 15 milionë euro, ndërsa qiraja fillestare dyvjeçare ishte 46 milionë dollarë, një shifër që është rritur për shkak të zgjatjes së qëndrimit të tyre në Vlorë.