Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka zgjedhur një qasje të pazakontë për të qetësuar qytetarët këtë të premte, teksa komentoi rritjen e çmimeve në vend. Në një kohë kur shumë familje ndiejnë çdo ditë presionin e inflacionit, ajo theksoi se, sipas vëzhgimeve të qeverisë, problemi duket se kufizohet kryesisht te perimet, ndërsa pjesa tjetër e ushqimeve mbetet “relativisht e paprekur”.
Sipas ministres, situata nuk është për alarm dhe ndërhyrja e qeverisë do të vijë vetëm nëse preken produktet bazë të shportës. Deri atëherë, duket se qytetarët mund të marrin frymë lirisht, mjafton që të mos kenë në plan të blejnë shumë domate apo kastraveca.
“Rritja ka ndodhur vetëm në kategorinë e perimeve ndërsa në të gjitha ushqimet e tjera nuk ka pasur rritje të çmimeve. Lufta nuk është në dorën e Shqipërisë për ta frenuar apo jo, çmimet janë rritur si pasojë e luftës, ne jemi këtu që pasojat të kenë ndikim minimal në ekonominë shqiptare. Janë mbi 80 produkte të shportës dhe asnjë nuk ka pasur rritje për shkak të luftës. Inflacioni shënoi në nivel 2,6%, që është nivel i kontrolluar ende. Nëse do të shohim që çmimet do të rriten edhe në produktet e tjera atëherë pa dyshim që do të ndërhyjmë me një akt që do të parashikojë të subvencionojë kategoritë e shtresave në nevojë”,- u shpreh Ibrahimaj.