Një ditë më parë, JOQ ALBANIA ngriti shqetësimin për gjendjen e Urës së Matit në aksin Milot–Lezhë, duke raportuar dëmtime të konsiderueshme që e bëjnë kalimin e mjeteve potencialisht të rrezikshëm.
Sipas raportimeve të qytetarëve, disa prej elementëve metalikë lidhës janë dëmtuar dhe kanë dalë mbi sipërfaqen e rrugës, duke krijuar një situatë që mund të çojë në aksidente.
Por Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se njoftuar nga kompania e mirëmbajtjes për një ndërhyrje të qëllimshme në Urën e Milotit dhe menjëherë pas sinjalizimit, specialistët kanë kryer verifikime në terren.
Nga inspektimet e ARRSH-së rezulton se fugat metalike janë dëmtuar si pasojë e një tentative vjedhjeje gjatë natës. Çështja i është kaluar Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, pasi përbën njëkohësisht dëmtim të pronës publike dhe rrezik për përdoruesit e rrugës.
ARRSH bën me dije se defekti është eliminuar nga ekipet e mirëmbajtjes dhe se qarkullimi mbi urë vijon pa probleme.
Ura në fjalë është një nyje kyçe që lidh Milotin me Lezhën dhe Shkodrën, si edhe shërben si aks i rëndësishëm drejt kufirit me Malin e Zi. E ndërtuar në vitin 2002 me mbështetjen e qeverisë italiane dhe me gjatësi rreth 300 metra, ajo nuk ka pësuar ndërhyrje të mëdha ndër vite për forcimin e strukturës apo mbrojtjen nga erozioni.