Me afrimin e Pashkës ortodokse, është shtuar ndjeshëm lëvizja në pikën kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës, në kufi me Greqinë.
Si çdo vit, shumë emigrantë që jetojnë e punojnë në shtetin fqinj kthehen në Shqipëri për të festuar pranë familjeve dhe të afërmve të tyre.
Sipas të dhënave nga Policia Kufitare në Kakavijë, gjatë 24 orëve të fundit janë përpunuar gjithsej 6.279 shtetas në hyrje dhe dalje, ku 3.821 kanë hyrë në vend dhe 2.458 kanë dalë. Ndërkohë, janë regjistruar edhe 2.431 automjete, prej të cilave 1.545 në hyrje dhe 886 në dalje.
Ndërkohë, mbrëmjen e 9 prillit është vërejtur rritje e lëvizjeve edhe në pikën kufitare të Kapshticës, ku emigrantët po kthehen nga Greqia për të kaluar festat me familjet e tyre.
Për të përballuar fluksin, autoritetet shqiptare kanë shtuar sportelet në funksion. Aktualisht, në hyrje të territorit shqiptar operojnë 5 sportele, ndërsa në dalje vetëm 1, çka ka ndihmuar në shmangien e radhëve të gjata, pavarësisht numrit më të madh të hyrjeve.
Në anën greke, situata paraqitet më e ngarkuar, ku udhëtarët raportojnë pritje deri në 1 orë e 30 minuta. Autoritetet janë në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe paralajmërojnë se fluksi mund të rritet edhe më shumë në ditët në vijim.